Programe

Gjeopolitika

Programi i gjeopolitikës synon nxitjen e diskursit publik dhe ndërmarrjen e aksioneve konkrete në çështje të gjeopolitikës, politikës ndërkombëtare dhe strategjisë, nëpërmjet studimeve, diskutimeve, forumeve dhe organizimeve kombëtare dhe rajonale. Në kushtet e një rendi ndërkombëtar të paparashikueshëm dhe në një fluks të vazhdueshëm, paraqitet e domosdoshme që bota shqiptare të përbashkojë një komunitet të mendimit strategjik që do të ofronte qartësi në kuptimin e interesit kombëtar dhe lehtësi në projektimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe më gjerë. 

Politika & E Drejta

Programi i politikës dhe të drejtës synon ‘ideologjizimin’ e hapësirës publike duke ofruar qasje, analiza, projeksione që mbështeten në një kuptim konservator të politikës dhe të së drejtës. Ne do të vendosim në qendër të mendimit dhe veprimit të ‘Sami Frashërit’ promovimin e parimeve të  sipërmarrjes së lirë, qeverisë së kufizuar, besimit në Zot dhe ‘ri-gjetjes’ së vlerave tradicionale shqiptare.   

Familja & Feja

Familja dhe besimi fetar janë dy shtylla binjake të pandashme nga organizimi tradicional i shoqërisë njerëzore që njëkohësisht përbëjnë alfën dhe omegën e politikave konservatore. Një seri idesh dhe lëvizjesh të asociuara me të ashtuquajturin ‘postmodernizëm’, janë projektuar si antitezë e modelit tradicional të organizimit social që në thelbin e vet përmban familjen dhe Zotin. Ne e shohim promovimin e një lëvizje që mbështetet kryesisht mbi këto dy elementë si të domosdoshme për t’ju kundërvënë narrativës hegjemone ‘postmoderne’. 

Sipërmarrja & Tregu

Shqipëria vuan nga varfëria endemike dhe një zhvillim ekonomik i pabarabartë dhe i zhbalancuar. ‘Sami Frashëri’ do të shërbejë si një forum për nxitjen e debatit mbi politikat e zhvillimit ekonomik të mbëshhtetura mbi sipërmarrjen e lirë si parakushti themelor për një shoqëri të prosperuar.

Diaspora

Për shkak të rrethanave historike, diaspora shqiptare është numerikisht më e madhe se shqiptarët që banojnë në trojet e tyre autoktone në disa shtete. Në këto kushte, diaspora përbën një pasuri dhe avantazh strategjik për shqiptarët. Megjithatë, qëndrimi i qeverive shqiptare ndaj diasporës ka qenë indiferent dhe më së shumti oportunist. Pavarësisht nismave të pjesshme, një program integrues i diasporës shqiptare (në perëndim dhe në lindje) në funksion të mirëqenies së tyre dhe interesit kombëtar shqiptar, paraqitet i domosdoshëm. ‘Sami Frashëri’ do të përpiqet me të gjitha mjetet të rrisë ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së diasporës dhe të shërbejë si një forum i hapur interaktiv me të dhe për të!

Arsimimi

Arsimimi është parakushti i një shoqërie të zhvilluar, megjithatë shpesh nuk merr vëmendjen e duhur politike. Sistemi arsimor në Shqipëri nuk është zhvilluar në përputhje me pritshmëritë dhe në shumë pikëpamje ka shënuar regres. Ky program synon nxitjen e kërkimit mbi problematika që lidhen me arsimin në Shqipëri, botën shqiptare dhe gjithë rajonin e Ballkanit. ISP ‘Sami Frashëri’ e ka ndër prioritetet e tij themelorë draftimin dhe lobimin e politikave konservatore në fushën e arsimit.